Site Loader

Më 26 prill 2025, u mbajt mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të Noterëve, një ngjarje e rëndësishme që grumbulloi anëtarët e institucioneve dhe palët e interesuara për të diskutuar çështje kyçe për zhvillimin dhe orientimin strategjik të institucionit.
Nën moderimin e znj. Gentjana Brati, zëvendës kryetare e Dhomës Kombëtare, dhe sipas vendimit të Qeverisë Shqiptare për shpalljen e ditës së shtunë, 26 prill 2025, Ditë Zie Kombëtare, mbledhja u hap me një minutë heshtje në shenjë respekti dhe nderimi për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.

Një nga momentet më të rëndësishme të mbledhjes së Asamblesë ishte fjala e Kryetares së DHKN, znj. Mimoza Sadushaj, e cila përshkroi në mënyrë të detajuar dhe paraqiti një përmbledhje të punës së Dhomës Kombëtare të Noterisë për periudhën 1-vjeçare, si dhe u ndal në vizionin dhe objektivat e Institucionit të Dhomës për të ardhmen.
Kryetarja, në fjalën e saj, përmendi bashkëpunimin, arritjet, sukseset, por edhe problematika të caktuara me institucionet që bashkëpunon Dhoma Kombëtare, duke i kushtuar vëmendjen e duhur secilit nga institucionet: Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Regjistrit të Barreve Siguruese, etj.


Sa i takon bashkëpunimit institucional të Dhomës, Kryetarja e DHKN shprehi në fjalën e saj që listës së institucioneve me të cilat Dhoma ka bashkëpunuar deri më tani i është shtuar edhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, me të cilën është rënë dakord të firmoset një marrëveshje bashkëpunimi.
Në fjalën e saj për bashkëpunimin me Kadastrën, znj. Sadushaj theksoi se:
“Në ndjekje të përditshme të zbatimit të afateve kohore dhe cilësisë së përgjigjeve të dhëna nga ASHK, vërehet me kënaqësi një përmirësim i dukshëm në dy drejtime: si në shpejtësinë e kthimit të përgjigjeve, ashtu edhe në përmbajtjen e tyre, duke reflektuar një zbatim më korrekt të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional. Ky progres është rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm dhe përpjekjeve të përbashkëta me Kadastrën Shqiptare për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj qytetarit.”

Znj. Sadushaj informoi Noterët se, në bashkëpunim dhe me suportin e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Kadastra po zhvillon sistemin e vet elektronik, i cili do të përpunojë disa të dhëna shtesë të aplikimeve NISA. Këto të dhëna, që do të dërgohen nga Noteri nëpërmjet aplikimeve të reja që do të konceptohen në sistemin e noterisë, do të ndihmojnë specialistët ekonomistë të ASHK për përllogaritjen sa më parë të detyrimeve të pagesës së marrjes së shërbimit të kërkuar, duke shkurtuar në maksimum kohën nga momenti i postimit të aplikimit deri në momentin e gjenerimit të kërkesës

.
Në Asamble u deklarua nga ana e DHKN se shqetësimet apo problematikat e caktuara që Noterët hasin gjatë punës së tyre me aplikimet e shërbimeve kadastrale tashmë janë futur në rrugën e zgjidhjes, si rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë të drejtoreshës së Kadastrës, znj. Goxhobelli.
Në vijim të fjalës së saj, znj. Sadushaj u ndal në marrëveshjen e re që u lidh në këtë Asamble midis tre institucioneve: të Noterisë, Kadastrës dhe Zhvillimit të Territorit.


Znj. Sadushaj nënvizoi faktin se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi ndërmjet Dhomës Kombëtare të Noterëve dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit ka për qëllim vendosjen e një kuadri të qartë bashkëpunimi për standardizimin e procedurave noteriale në lidhje me akt-marrëveshjet e rezervimit, kontratat e porosisë apo premtim-shitjes, të cilat do të mund të hartohen vetëm pas lëshimit dhe regjistrimit të lejeve të ndërtimit nga autoritetet përkatëse.


“Gjithashtu, kjo marrëveshje parashikon shkëmbimin institucional të të dhënave dhe qasjen e AZHT-së në statistikat dhe aktet përkatëse përmes sistemit elektronik NISA, që administrohet nga DHKN, duke garantuar ruajtjen e parimeve ligjore dhe respektimin e autonomisë së secilës palë. Në frymën e besimit të ndërsjellë dhe angazhimit të përbashkët, kjo marrëveshje synon të vendosë themele më të forta për një shërbim më profesional, të sigurt dhe transparent në funksion të interesit publik”, vijoi znj. Sadushaj.


Raportimi i punës së DHKN-së nga mbledhja e Asamblesë së kaluar vijoi me dhënien e informacionit, përshkrimin e situatës apo dhe objektivat e Noterisë sa i takon bashkëpunimit me AKSHI-n, RBS, Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, etj.


Fjala e Kryetares jo vetëm që u mbajt në formën e një raporti të punës së institucionit deri tani, por shërbeu edhe si një udhërrëfyes për të gjithë pjesëmarrësit, duke u dhënë atyre një pasqyrë të qartë mbi hapat që duhet të ndiqen për të realizuar synimet e institucionit dhe duke inkurajuar një angazhim më të madh në proceset vendimmarrëse.


Në këtë drejtim, znj. Sadushaj paraqiti për anëtarët e Dhomës Kombëtare edhe përpjekjet e Institucionit që drejton për të përmirësuar kuadrin ligjor në fuqi për Noterinë, më konkretisht Ligjin e Noterisë, për të cilin Dhoma Kombëtare e Noterisë ka paraqitur dhe mbështetur propozime konkrete për ndryshime në kuadrin ligjor dhe nënligjor, që synojnë modernizimin dhe fuqizimin e profesionit të noterit. Ndryshimet e propozuara janë hartuar me kujdes, duke u mbështetur në realitetin e punës së përditshme të noterëve dhe në nevojat që ka tregu për një shërbim gjithnjë e më cilësor dhe më të shpejtë.
Në fjalën e saj në Asamble, znj. Sadushaj u ndal në mënyrë të posaçme te disa objektiva të Dhomës Kombëtare që lidhen drejtpërdrejt me punën e përditshme të noterëve, atë të rritjes së tarifave noteriale si dhe të shtimit të portofolit të shërbimeve që ofrojnë zyrat noteriale në vend.


Znj. Sadushaj, duke vlerësuar faktin që Ministri i Drejtësisë është kujdesur personalisht për të verifikuar volumet e punës së noterëve dhe të ardhurat e lidhura me këto volume, u shpreh se ka ardhur koha për të reflektuar në të ardhura reale rritjen e kompleksitetit të punës noteriale dhe rritjen faktike të kostove reale të ushtrimit të këtij shërbimi, si një mënyrë për të garantuar cilësinë dhe qëndrueshmërinë profesionale të zyrave noteriale.


Në Asamblenë Kombëtare të Noterëve, në rolin e të ftuarve të nderit, ju dha fjala edhe znj. Lorena Goxhobelli, Drejtuese e Kadastrës Shqiptare dhe znj. Adelajda Roka, Drejtuese e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Në fjalët e tyre u vlerësua roli i Noterit në proceset e kalimit të të drejtave të pronësisë apo edhe të rasteve të kontratave të porosisë, që me nënshkrimin e marrëveshjes trepalëshe do të sjellin një garanci më të madhe për qytetarin në rolin e porositësit të një pasurie të paluajtshme të paregjistruar pranë Kadastrës Shqiptare.


Nga ASHK dhe AZHT u prezantua se nënshkrimi i marrëveshjes me Noterinë Shqiptare ka për qëllim forcimin e transparencës, garantimin e sigurisë juridike dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike për qytetarët, duke ndërtuar një bashkëpunim të strukturuar ndërmjet Noterisë dhe institucioneve përgjegjëse për administrimin e pronës dhe zhvillimin e territorit.


Më tej fjala ju dha z. Ulsi Manja për adresimin e tij në mbledhjen e Asamblesë së Noterëve.
Z. Ministër i Drejtësisë, në rolin e kontrolluesit të Shërbimit Noterial në rang kombëtar, në fjalën e tij shprehu kënaqësinë për arritjet e Dhomës Kombëtare të Noterisë si institucion, duke u ndalur dhe adresuar disa problematika që shqetësojnë Ministrinë e Drejtësisë për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe në të gjitha bashkitë e vendit.


Z. Manja shprehu kënaqësinë e lidhjes sot të marrëveshjes midis Dhomës, Kadastrës dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, duke theksuar në fjalën e tij se kjo marrëveshje do të zgjidhë njëherë e mirë problematikën e shitjes së apartamenteve më shumë se një herë nga ana e investitorëve apo kompanive të ndërtimit.
Ministri, duke vlerësuar këtë nismë, theksoi: “Ministria e Drejtësisë mbetet e angazhuar për të mbështetur noterinë dhe për të garantuar shërbime gjithnjë e më cilësore, më transparente dhe më të sigurta për qytetarët shqiptarë.”


Mbledhja vijoi me ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes trepalëshe mes Dhomës Kombëtare të Noterëve, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, marrëveshje e cila u finalizua me sukses gjatë këtij takimi me angazhimin personal të Ministrit të Drejtësisë, z. Ulsi Manja.


Gjatë seancës së dytë të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, me votimin nga ana e anëtarësisë për dokumentat financiare të vitit të kaluar, si dhe kaloi me sukses buxheti i Dhomës Kombëtare të Noterisë për vitin 2025.

Post Author: DHKN