Site Loader

Në datat 18–21 Maj 2025, Dhoma Kombëtare e Noterisë priti në Tiranë një delegacion zyrtar nga Këshilli i Lartë i Notariatit Francez, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në Paris në janar të këtij viti.

Delegacioni përbëhej nga:

Znj. Caroline Ginglinger, Shefe për Marrëdhëniet Ndërkombëtare pranë Këshillit të Lartë të Notariatit Francez
Z. François Xavier, Drejtor i Përgjithshëm i ADSN – autoriteti francez përgjegjës për menaxhimin e sistemit digjital të noterisë

Gjatë vizitës, delegacioni zhvilloi një takim pune me Kryetaren e Dhomës Kombëtare të Noterëve të Shqipërisë, znj. Mimoza Sadushaj, ku u diskutuan konkretizimi i bashkëpunimit ndërmjet dy notariateve, shkëmbimi i praktikave më të mira dhe objektivat për dixhitalizimin e mëtejshëm të shërbimeve noteriale në Shqipëri.

Vizita e delegacionit francez shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt një notariati shqiptar modern, të digjitalizuar dhe të harmonizuar me standardet evropiane.

Vizitë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë – një hap tjetër drejt modernizimit të sistemit noterial

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe mbështetjes për reformën në drejtësi, delegacioni i noterisë franceze u prit sot në Ministrinë e Drejtësisë nga Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Tedi Dobi.

Gjatë takimit, palët vlerësuan angazhimin dhe përgatitjen e sistemit noterial shqiptar për të përballuar sfidat e integrimit europian. U theksua rëndësia e bashkëpunimit me partnerët francezë në procesin e digjitalizimit të shërbimeve noteriale, si një nga prioritetet kryesore të reformës në drejtësi.

🔹 Ndërtimi i një sistemi noterial më transparent dhe të sigurt
🔹 Lidhja në kohë reale me sistemin e kadastrës digjitale
🔹 Ofertë shërbimesh më të shpejta dhe më efikase për qytetarët

Dhoma Kombëtare e Noterisë mbështet plotësisht këtë vizion për një notariat modern, në funksion të një drejtësie që i shërben qytetarit dhe zhvillimit të qëndrueshëm institucional.

Takim me Agjensinë Shtetërore të Kadastrës për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve

Në datë 21.05.2025, u zhvillua një takim i rëndësishëm mes Drejtoreshës së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), znj. Lorena Goxhobelli, Kryetares së Dhomës Kombëtare të Noterisë, znj. Mimoza Sadushi, si dhe përfaqësuesve të noterisë franceze.

Ky takim kishte në qendër shkëmbimin e eksperiencave, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe identifikimin e mënyrave të reja për të rritur efikasitetin në ofrimin e shërbimeve publike. Palët diskutuan mbi praktika konkrete për të shmangur vonesat në procesin e aplikimeve dhe për të ofruar një qasje më të shpejtë dhe transparente për qytetarët. Dhoma Kombëtare e Noterisë vlerëson si thelbësor bashkëpunimin me ASHK-në, si një ndër faktorët kyç për zhvillimin e një sistemi efikas, të besueshëm dhe në funksion të interesit publik.

Post Author: DHKN