Me ftesë të notariatit shqiptar, në datat 10–11 mars, zhvilloi një vizitë në vendin tonë një delegacion i Notariatit Italian, i kryesuar nga Presidenti i Këshillit Kombëtar të Notariatit, z. Vito Pace. Në përbërje të delegacionit merrnin pjesë edhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të Notariatit Italian.
Delegacioni zhvilloi një takim të frytshëm me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Noterisë, gjatë të cilit u diskutuan dhe u identifikuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, të cilat do të shqyrtohen dhe procedohen në kuadër të një protokolli bashkëpunimi ndërmjet dy notariateve.
Ndër çështjet kryesore të trajtuara ishin:
- nënshkrimi i akteve në distancë;
- përfshirja e noterëve në aktet e shoqërive tregtare;
- njohja e noterëve shqiptarë me veprimtarinë noteriale në vendet e Bashkimit Evropian;
- ftesat dhe pjesëmarrja e noterëve shqiptarë në seminare dhe trajnime, veçanërisht në ato që lidhen me praktikën noteriale në vendet e BE-së.
Gjatë takimit, palët sigluan një protokoll bashkëpunimi, i cili pritet të firmoset pas miratimit përkatës nga Këshillat Kombëtare të të dy notariateve.
Bisedimet u zhvilluan në një frymë miqësore dhe konstruktive, duke vënë theksin në konkretizimin e çështjeve të ngritura dhe në forcimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet dy institucioneve.
Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni u prit edhe nga Ministri i Drejtësisë, z. Toni Gogu, i cili theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe nevojën për konkretizimin e problematikave të ngritura nga të dyja palët. Ministri kërkoi gjithashtu nxjerrjen e një urdhri pune për ndjekjen e çështjeve të trajtuara, duke ngarkuar zv/ministren e Drejtësisë, znj. Elona Hoxha, me ngritjen e një grupi pune për zbatimin e protokollit të bashkëpunimit.

