Shqipëria, mikpritëse e një prej aktiviteteve më të rëndësishme të noterisë ndërkombëtare
Pas një procesi lobimi dhe përfaqësimi institucional, Unioni Ndërkombëtar i Noterisë Latine (UINL) ka përzgjedhur Shqipërinë si vendin mikpritës të Asamblesë së Përgjithshme, e cila do të zhvillohet në Tiranë, në datat 14–17 tetor 2026.
Ky aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar do të mbledhë përfaqësues të vendeve anëtare të UINL-së, me pjesëmarrjen e rreth 300 përfaqësuesve nga e gjithë bota, duke e kthyer Tiranën në një pikëtakim të rëndësishëm për diskutimin e zhvillimeve, sfidave dhe perspektivave të profesionit të noterisë.
Punimet e Asamblesë do të zhvillohen përgjatë katër ditëve, me një program që përfshin çështje me rëndësi për organizimin dhe zhvillimin e noterisë në nivel ndërkombëtar.
Në datat 14–15 tetor, diskutimet do të përqendrohen në veprimtarinë e grupeve të ndryshme të punës, ku do të trajtohen çështje që lidhen me statutin, temat e kongresit, deontologjinë dhe fusha të tjera me interes për profesionin noterial.
Ndërsa në datat 16–17 tetor, do të zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të UINL-së, ku ndër temat kryesore të diskutimit do të jenë inteligjenca artificiale dhe sfidat që ajo paraqet për noterinë, si dhe roli i noterit në procesin e krijimit të shoqërive tregtare. Këto tema pasqyrojnë rëndësinë e përshtatjes së profesionit noterial ndaj zhvillimeve teknologjike dhe ekonomike, duke ruajtur njëkohësisht garancitë juridike dhe sigurinë e marrëdhënieve ligjore.
Në kuadër të këtij aktiviteti, notariati shqiptar do të kontribuojë në diskutimet profesionale edhe nëpërmjet dy lektorëve shqiptarë, të cilët do të sjellin perspektivën dhe përvojën e vendit tonë në temat e programit. Në Asamblenë e Përgjithshme, Dhoma Kombëtare e Noterisë do të përfaqësohet nga Kryetarja e saj dhe Këshilltari i Përgjithshëm i UINL-së, në përputhje me rregullat përkatëse të organizimit dhe pjesëmarrjes.
Zhvillimi i Asamblesë së Përgjithshme të UINL-së në Tiranë përbën një moment të rëndësishëm për Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe për notariatin shqiptar. Përzgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës dëshmon për vlerësimin dhe besimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj përfaqësimit institucional të notariatit tonë, si dhe krijon mundësi të reja për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e kontributit të Shqipërisë në zhvillimin e profesionit noterial.
Dhoma Kombëtare e Noterisë e konsideron këtë aktivitet një mundësi të veçantë për të promovuar notariatin shqiptar dhe për të forcuar më tej pozicionin e tij në komunitetin ndërkombëtar të noterisë.