Site Loader

NJOFTIM!

Në zbatim të pikës 3, të nenit 6, të nenit 90, të ligjit nr.110/2018 “Për noterinë”, të Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë nr.534. datë 20.10.2020 “Për miratimin e Rregullores për Mënyrën e Organizimit të Provimit të Pranimit në Formimin Fillestar”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë nr. 5, datë 23.02.2021 “Për përcaktimin e numrit të kandidatëve për noterë që do të pranohen në programin e formimit fillestar”, Ministria e Drejtësisë ka shpallur në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare thirrjen për shprehjen e interesit për provimin e pranimit në trajnimin fillestar.

Shpallja është publikuar në Buletin nr. 8, datë 01.03.2021.

 

Në përmbushje të parashikimeve ligjore, kjo shpallje publikohet edhe në faqen zyrtare të Dhomës Kombëtare të Noterisë si më poshtë vijon:

 

 

SHPALLJE PËR SHPREHJEN E INTERESIT PËR PROVIMIN E PRANIMIT NË TRAJNIMIN FILLESTAR PRANË QENDRËS SHQIPTARE TË TRAJNIMIT TË NOTERËVE

 

Në zbatim të pikës 3, të nenit 6, të nenit 90, të ligjit nr.110/2018 “Për noterinë”, të Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë nr.534. datë 20.10.2020 “Për miratimin e Rregullores për Mënyrën e Organizimit të Provimit të Pranimit në Formimin Fillestar”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë nr. 5, datë 23.02.2021 “Për përcaktimin e numrit të kandidatëve për noterë që do të pranohen në programin e formimit fillestar”, Ministria e Drejtësisë shpall në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare thirrjen për shprehjen e interesit për provimin e pranimit në trajnimin fillestar.

 

1. Kandidati që kërkon të përfshihet në provimin e pranimit në trajnimin fillestar, të organizuar pranë Qendrës Shqiptare të Trajnimit të Noterëve, duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:

 

a)     të jetë shtetas shqiptar;

b)    të ketë zotësi të plotë juridike për të vepruar;

c)     të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë:

ç)  të mos jetë shkarkuar nga ushtrimi i detyrës ose funksionit publik, për arsye të integritetit etik, me vendim të organit kompetent, që ka marrë formë të prerë, me përjashtim të rasteve kur masa disiplinore është shuar sipas legjislacionit të posaçëm;

d) të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi, me diplomë “Master i shkencave”, ose diplomë të njësuar me të, ose studimet universitare për drejtësi jashtë shtetit, të njësuara në përputhje me rregullat për njësimin e diplomave sipas legjislacionit në fuqi;

 

2. Kandidati i interesuar për t’u përfshirë në provimin e pranimit në trajnimin fillestar, duhet të depozitojë me postë në adresën e Qendrës Shqiptare të Trajnimit të Noterëve, “Rruga ‘Nikolla Tupe’, Pallati nr.7, Tiranë”, kati II dhe në rrugë elektronike në adresën qshtn@nisa.al, dokumentacionin vërtetues të plotësimit të kushteve, si më poshtë:

a)     2 fotografi;

b)    kopjen e dokumentit të identifikimit (pasaportë apo letërnjoftim ID);

c)     kopjen e diplomës së Fakultetit të Drejtësisë dhe të certifikatës së notave sipas ligjit “Për arsimin e lartë”, të njësuar me origjinalin, ose diplomë të njësuar me të, ose studimet universitare për drejtësi jashtë shtetit, të njësuara në përputhje me rregullat për njësimin e diplomave sipas legjislacionit në fuqi;

d)    dëshminë e penalitetit (aksesuar nga e-albania)

e)     vërtetimin nga gjykata dhe prokuroria e vendbanimit se nuk është në hetim ose në gjykim për kryerjen e një vepre penale;

f)      kopja e librezës së punës, nëpërmjet së cilës vërtetohet nëse ka qenë ose është në marrëdhënie pune, shoqëruar me vërtetimin nga punëdhënësi i fundit që nuk ka masë disiplinore në fuqi. (Ky dokument vlen për individët të cilët janë ose kanë qenë në marrëdhënie pune, të njësuar me origjinalin).

g)    Tarifa e pagesës së pjesëmarrësit në konkurim, në vlerën 15’000 lekë, e cila paguhet në numrin e llogarisë në Bankën “Raiffeisen Bank” sh.a., sipas të dhënave në aneksin nr. 1, bashkëlidhur.

h)    Plotësimi i formularit për aplikim, sipas aneksit nr. 2, bashkëlidhur.

 

 

3. Kandidatët e interesuar, duhet të përcjellin dokumentacionin e kërkuar brenda datës 17.03.2021.

 

4. Qendra e Trajnimit administron shprehjet e interesit të të interesuarve për noterë dhe ia përcjell ato Dhomës, e cila informon Ministrin e Drejtësisë për shprehjet e interesit të paraqitura.

 

5. Provimi i pranimit në formimin fillestar organizohet nga Qendra Shqiptare e Trajnimit të Noterëve në përputhje me parashikimet e ligjit për noterinë dhe të Rregullores për mënyrën e organizimit të provimit të pranimit në formimin fillestar.

 

 6. Provimi bazohet në procedura transparente, metoda vlerësimi të drejta dhe të besueshme dhe në një nivel të lartë të njohurive profesionale të të interesuarve.

 

7. Data, ora dhe vendi i provimit të pranimit në formimin fillestar caktohen me vendim të Këshillit të Dhomës Kombëtare të Noterisë. Vendimi bëhet publik të paktën 3 (tre) muaj përpara datës së provimit, në faqen zyrtare të Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë.

 

8. Komisioni i Kualifikimit përgatit provimin e pranimit në formimin fillestar, vlerëson njohuritë e të interesuarve në provimin e pranimit në formimin fillestar dhe i rendit ata në bazë të rezultateve të provimit. Konsiderohen se kanë kaluar me sukses provimin e pranimit në formimin fillestar të interesuarit e renditur sipas kësaj pike, të cilët kanë marrë të paktën 80 % të pikëve të provimit, deri në përmbushjen e numrit të caktuar nga udhëzimi i përbashkët, i nxjerrë sipas pikës 2, të nenit 5, të Ligjit nr.110/2018.

 

 9. Rezultatet e provimit të pranimit në formimin fillestar për të gjithë të interesuarit bëhen publike brenda 10 ditëve nga data e dhënies së provimit, në faqen zyrtare të Dhomës Kombëtare të Noterisë, në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

 

10. I interesuari mund t’i nënshtrohet provimit të pranimit në formimin fillestar deri në 3 herë. I interesuari që kalon me sukses provimin e pranimit në trajnimin fillestar merr certifikatën e kalimit me sukses të provimit të pranimit në formimin fillestar.

 

11. Kundër vlerësimit të Komisionit të Kualifikimit mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Rrethit Gjyqësor të Tiranës.

 

Klikoni ketu per te shkarkuar Formen e Aplikimit

Klikoni ketu per te shkarkuar Mandatin e Arketimit

Post Author: DHKN